|
Robert Elsie
Leksiku i kulturës popullore shqiptare
Besime, mitologji, fe, doke, rite, festa dhe veçori kulturore
ISBN 99943-683-4-6
Skanderbeg
Books, Tirana 2005
282 pp.

PARATHËNIE
Sipas dokumentave historike, shqiptarët
kanë qenë të pranishëm në Europën
juglindore që prej rreth një mijë vjetësh,
por rrënjët e tyre zbresin shumë më thellë
në mjegullat e lashtësisë. Në fillim, një
bashkësi e vogël baritore në hapësirat më
të thella të Ballkanit, shqiptarët u shtuan në
numër dhe përhapën ngulimet e tyre në mbarë
trevat jugperëndimore të gadishullit. Me kalimin e
kohës, si dhe me gjallërinë e këmbënguljen
që i kanë në gjak, e me shumë fat, ata erdhën
e zunë vendin që kanë sot në radhën
e shteteve kombëtare të Europës.
Mirëpo, edhe sot, në të
hyrë të shekullit XXI, termi 'shtet kombëtar në
Europë' nuk eshtë krejtësisht i përshtatshëm
për shqiptarët. Jeta e tyre dhe kultura e tyre janë
ato të një vendi në zhvillim, të një
vendi të Botës së Tretë që lufton për
të mbijetuar në të gjitha kuptimet e kësaj
fjale. Në pikëpamje materiale, ata kanë qenë
të privuar nga gjithçka përveç gjërave
më të domosdoshme për të mbajtur frymën
gjallë. Madje, zhvillimi historik, politik, ekonomik dhe
kulturor i shqiptarëve ka qenë aq i mundimshëm
sa që ata që i njohin mirë nuk mund të mos
mahniten se si kanë arritur të mbijetojnë si popull.
Vetëm në një kuptim kanë
qenë të pasur shqiptarët. Kultura popullore tradicionale
e tyre, e cila ka ardhur e është zhvilluar gjatë
shekujve në kushtet e një veçimi relativ, paraqet
një begati befasuese elementesh. Megjithatë, kjo kulturë,
pa dijen e së cilës Ballkani kurrsesi nuk ka si të
kuptohet, ka mbetur pak e njohur për botën Perëndimore,
madje edhe ndër antropologët dhe etnografët që
merren posaçërisht me Ballkanin. Punimi që po
paraqesim këtu synon ta mbushë këtë zbraztësi,
sado në mënyrë modeste.
Thelbi i këtij Leksiku të
Kulturës Popullore Shqiptare janë besimet. Ai në
masë të madhe përqëndrohet në figurat
e mitologjisë shqiptare, të besimeve fetare, të
bashkësive, urdhrave dhe sekteve fetare që kanë
qenë të pranishme në Shqipëri, të shenjtëve
e shenjtorëve, burra e gra, që kanë luajtur rol
në besimet e shqiptarëve, të vendeve të shenjta
e objekteve të kultit, të festave kalendarike, të
ritualeve e të bestytnive popullore. Të lidhura ngushtë
me botën e besimeve e të bestytnive janë ato që,
në një kuptim të përgjithshëm, mund
të cilësohen si doke e zakone popullore. Edhe këtyre
u është dhënë vend i bollshëm, sikundër
u është dhënë edhe një numri zërash
kushtuar disa veçorive me lidhje anësore me të
parat - veçori të larmishme, si doket e lidhura me
lindjen, martesën dhe varrimet e të vdekurve, doket
gjinore, gjakmarrja e institucionet e të drejtës dokesore
shqiptare. Shumë aspekte të kulturës popullore
të palidhura me besimet, doket e zakonet, sikundër
janë muzika popullore, arti dhe kultura materiale nuk janë
përfshirë. Megjithatë, në një libër
të tillë është e vështirë të
përcaktohen kufijt e saktë se çfarë përbën
kulturë popullore e çfarë nuk përbën.
Rruga e ndjekur brenda këtij kuadri të përgjithshëm
ka qenë më fort eklektike se e ndarjes së prerë
të kufijve.
Ky Leksiku të Kulturës Popullore
Shqiptare paraqet dhe jep për herë të parë
në gjuhën angleze një gamë të gjerë
informacioni të panjohur ose pak të njohur në
Perëndim. Madje një pjesë të mirë të
këtij informacioni e kanë humbur edhe vetë shqiptarët
e sotëm. Në këto rrethana, ky fjalor mund të
shërbejë si bazë të dhënash për
lexuesit dhe studiuesit e një numri fushash. Aty ku ka qenë
e mundur, në ndihmë të atyre që duan të
thellohen më tej, janë paraqitur të dhëna
bibliografike të hollësishme.
Kultura popullore shqiptare ndodhet sot
në një gjendje interesante. Nga njëra anë,
sikundër u tha më sipër, ajo është dhe
paraqitet jashtëzakonisht e begatë, sidomos duke patur
parasysh se për dhjetëvjeçarë, madje për
shekuj me radhë, shqiptarët kanë jetuar të
veçuar nga pjesa tjetër e Europës. Kultura tradicionale
e tyre, me shumë elemente e besime që ndofta nuk hasen
gjetiu, vazhdon të mbetet një minierë ari për
antropologët dhe etnografët. Në disa kuptime,
Shqipëria është një muze i gjallë i
së kaluarës. Në malet e veriut, për shembull,
ende vihen re mbeturina të dukshme të një kulture
e shoqërie fisnore, e cila ka ruajtur vlera të forta
patriarkale e madje shumë nga prirjet epike të së
kaluarës.
Nga ana tjetër, kultura popullore
në Shqipëri është sot, për fat të
keq, jashtëzakonisht e varfër, e varfëruar në
mënyrë të ndërgjegjshme gjatë një
gjysëm shekulli diktature staliniste. Regjimi komunist që
sundoi në Republikën Popullore Socialiste të Shqipërisë
së kohës (1944-1990) u përpoq me të gjitha
mënyrat për të krijuar 'njeriun e ri socialist,'
duke shkatërruar gjithçka para tij. Nën sundimin
e Enver Hoxhës (1908-1985), të gjitha besimet dhe zakonet
paramarksiste mendoheshin se binin në kundërshtim dhe
vinin në rrezik ndërtimin e socializmit dhe pushtetin
e Partisë e, për rrjedhojë, të paktën
në pjesën më të madhe, u fshinë nga
mendjet, zemrat dhe shpirti i shqiptarëve. Si pasojë
e drejtpërdrejtë e diktaturës staliniste, të
paktë janë sot në Shqipëri ata individë
që dijnë diçka për traditat e tyre popullore,
për shembull për mitologjinë shqiptare ose për
fenë dhe besimet popullore. Mirëpo, një pjesë
e mirë e asaj çka ka humbur në Shqipëri
fatmirësisht është ruajtur në kulturat më
tradicionale të bashkësive shqiptare në Kosovë
e në Maqedoninë perëndimore. Disa elemente arkaike
gjithashtu janë ruajtur gjatë shekujve në ngulimet
e vjetra shqiptare të Italisë jugore e të Greqisë.
Sidoqoftë, është koha
që kjo kulturë popullore tradicionale të studiohet
me imtësi para se të ikë e të zhduket përgjithmonë.
Disa arritje janë shënuar ndër vite nga studiues
shqiptarë vendës, të cilët kanë regjistruar,
dokumentuar, kataloguar e botuar vepra të rëndësishme,
sidomos në Institutin Albanologjik të Prishtinës
dhe në Institutin e Kulturës Popullore të Tiranës.
Po ende mbetet shumë për të bërë. Nëse
ky vëllim jep ndihmesë për të zgjuar interesime
për këtë fushë ose për kulturën
shqiptare në përgjithësi, atëhere mund të
thuhet se synimi kryesor është arritur.
Më mbetet të shpreh falënderimin
tim për shumë veta, që nga studiuesit dhe specialistët
deri te blegtorët e bujqit, që kanë dhënë
ndihmesën e tyre me dijet, mendimet, kohën dhe interesimin
e shfaqur për këtë projekt. Për ndihmën
e një natyre më konkrete do të përmendja
në veçanti Heinz Bothien-in (Frauenfeld), Bardhyl
Demirajn (Mynih), Arthur Liolin-in (Boston), Abdurrahim Myftiun
(Tiranë), Joan Pelushin (Korçë) dhe Frances
Trix-in (Ann Arbor).
Shestimi i këtij libri nisi në
muajt e parë të vitit 1998, në një kohë
kur revoltat e vitit 1997 i kishin shkatërruar tashmë
strukturat e shoqërisë e të kulturës popullore
në Shqipëri, duke shkaktuar, ndër të tjera,
një eksod tjetër masiv të fiseve malësore
drejt vendbanimeve qytetëse pranë brigjeve të
detit. Ishte gjithashtu koha kur hegjemonia e huaj, me strategjinë
e saj të mbrapshtë të spastrimit etnik dhe urrejtjes
së verbër, po orvatej të fshinte e të zhdukte
kulturën shekullore, po ende të brishtë, të
shqiptarëve të Kosovës, një kohë kur
gjenocidi në Ballkan përsëri po ngrinte kokën
e vet të shëmtuar.
Për shqiptarët, vështirësitë
dhe privacionet gjithmonë kanë qenë pjesë
e jetës. Mbetet të shpresojmë që populli
i shumëvuajtur i Kosovës e i Shqipërisë të
rimëkëmbet dhe, me energjinë dhe vrullin e vet
tradicional, të kapërcejë vështirësitë
e papërshkrueshme të kohës së sotme.
Robert Elsie
Shkurt 2000

|