|
Robert Elsie
Letërsia shqipe: një histori e shkurtër
Përktheu nga anglishtja Majlinda Nishku
ISBN 99943-85-04-6
Skanderbeg
Books, Tirana 2006
297 pp.

PARATHËNIE
Letërsia shqipe është
një letërsi evropiane, e megjithatë, ajo është
zhvilluar relativisht e veçuar nga kultura mbizotëruese
evropiane. Shqiptarët, të cilët rrjedhin nga fiset
nomade vendëse të Ballkanit Jugperëndimor, dhe
që janë mësuar të jetojnë në një
terren malor nga më të thepisurit në të gjithë
gadishullin, i konsoliduan vendbanimet e veta larg udhëkryqeve
më të rrahura të qytetërimit evropian. Kultura
e tyre ka qenë dhe mbetet një kulturë krejt e
ndryshme dhe unike evropiane, ndërsa letërsia e tyre
e shkruar edhe sot pasqyron shumë prej karakteristikave
të saj të veçanta. Madje ky është
një prej faktorëve që e bën letërsinë
shqiptare kaq të mahnitshme.
Për fat të keq, për letrat
shqipe është shkruar shumë pak, sigurisht, me
përjashtim të veprave të botuara në vetë
gjuhën shqipe. Në nivel ndërkombëtar, tema
e letërsisë shqipe ende mbetet përgjithësisht
e patrajtuar. Kjo lënie pas dore vjen kryesisht nga mungesa
e specialistëve ndërkombëtarë me njohuri
të shëndosha të gjuhës letrare shqipe dhe
jo për shkak të ndonjë mungese të vetë
krijimtarisë letrare.
Vëllimi Letërsia shqipe:
një histori e shkurtër, orvatet të mbushë
këtë zbrazëti, duke bërë një përshkrim
të përmbledhur të zhvillimit të të shkruarit
krijues në gjuhën shqipe. Ai përqendrohet tek
autorët dhe rrymat më kryesore të letërsisë
shqipe, që prej teksteve më të hershme në
shekujt e trembëdhjetë, pesëmbëdhjetë
dhe gjashtëmbëdhjetë, deri tek fillimi i mijëvjeçarit
të ri, dhe është shkruar duke pasur parasysh një
lexues të zakonshëm, që mund të mos ketë
shumë njohuri në këtë fushë. Si i tillë,
libri mund të jetë i dobishëm si udhëzues
për të gjithë ata, fushat e interesit të
të cilëve përfshijnë kulturat ballkanike,
letërsinë e krahasuar dhe historinë e kulturës
evropiane në përgjithësi.
Letërsia shqipe u zhvillua relativisht
vonë dhe rritja, madje edhe vetë ekzistenca e saj,
është rrezikuar në shumë periudha. Libri
i parë i botuar në gjuhën shqipe, sipas të
dhënave që kemi, u shkrua në vitin 1555. Por pavarësisht
nga ai dhe nga vepra të tjera të hershme, për
letërsi kombëtare në Shqipëri mund të
flitet me plot gojën vetëm nga fundi i shekullit të
nëntëmbëdhjetë e më tej.
Bima e brishtë e letërsisë
shqiptare u rrit në një tokë shkëmbore. Ajo
herë mbinte e lulëzonte, dhe herë shkulej nga
dheu prej rrjedhës brutale të historisë politike
të Ballkanit. Letërsia e hershme e Shqipërisë
së krishterë humbi nën flamujt e islamizmit, kur
vendi u bë me dhunë pjesë e Perandorisë Otomane.
Letërsia e Shqipërisë myslimane, shumë pak
e njohur edhe sot, u tha e u vyshk në fund të shekullit
të nëntëmbëdhjetë, kur shqiptarët
i kthyen shpinën Portës së Lartë dhe deshën
të krijojnë një shtet të pavarur evropian.
Fillesat e shëndosha të letërsisë moderne
në vitet 1930 u shfarosën pa mëshirë nga
udhëheqësit stalinistë, që morën pushtetin
në vitin 1944 dhe e mbajtën deri në vitin 1990.
Dhe së fundi, me të rënë diktatura, letërsia
shqiptare e realizmit socialist, krijesë e regjimit komunist,
u bë e vjetruar dhe e padëshirueshme. Për periudha
të tëra historike, për shqiptarët ka qenë
e ndaluar me ligj që të shkruanin dhe botonin në
gjuhën e tyre. Librat dhe shkollimi në shqip ishin
të ndaluar në të gjithë Shqipërinë
pothuaj deri në fund të sundimit otoman në vitin
1912, dhe një ndalim i ngjashëm, herë zyrtar dhe
herë jozyrtar, ka qenë në fuqi edhe në Kosovë
nën sundimin serb, deri në vitet 1960.
Megjithatë, kjo bimë e brishtë
e kësaj toke të ashpër legjendare ka prodhuar
disa lule të mahnitshme, shumë prej të cilave
e meritojnë vëmendjen e botës së jashtme.
Pas një mungese të gjatë,
gjashtë deri në shtatë milion shqiptarët
e Ballkanit po rifitojnë tani vendin e tyre në Evropë
dhe kultura e tyre në lulëzim meriton më shumë
njohje e vlerësim. Do të shpresoja që ky libër
të japë shtysën e nevojshme për këtë.
Nuk më mbetet tjetër veç
tu shpreh mirënjohjen time shumë njerëzve
dhe institucioneve që më kanë ndihmuar në
përgatitjen e këtij libri. Falënderime të
posaçme i takojnë Janice Mathie-Heck nga Kalgari
(Kanada) për rishikimin e versionit përfundimtar të
dorëshkrimit.
Robert Elsie
Malet Eifel, Gjermani
Maj 2005

PASQYRA E LËNDËS
1. Letërsia e hershme shqipe
(shek. 15-17)
1.1 Fillimet e shkrimit në shqip
1.2 Teodor Shkodrani (1210) dhe shkrime të tjera
të hershme
1.3 Gjon Buzuku dhe libri i parë shqip (1555)
1.4 Lekë Matrënga dhe Doktrina e Krishterë
(1592)
1.5 Veprat e Pjetër Budit (1618-1621)
1.6 Frang Bardhi dhe fjalori i tij latinisht-shqip
(1635)
1.7 Pjetër Bogdani dhe Cuneus Prophetarum
(1685)
1.8 Rënia e letërsisë së hershme
shqipe
2. Letërsia myslimane në
Shqipëri (shek. 18-19)
2.1 Lindja e islamizmit
2.2 Letërsia e bejtexhinjve
3. Letërsia arbëreshe
(shek. 18-19)
3.1 Mërgimi shqiptar në Itali
3.2 Letërsia e hershme arbëreshe
3.3 Jeronim De Rada dhe zgjimi kombëtar
3.4 Poetë romantikë: Françesk Santori,
Gavril Dara dhe Zef Serembe
3.5 Filizi i Sicilisë: Zef Skiròi
4. Letërsia e Rilindjes: zgjimi
kombëtar shqiptar (shek. 19)
4.1 Fillimet e zgjimit kombëtar
4.2 Vëllezërit Frashëri dhe letërsia
e romantizmit kombëtar
4.3 Kultura e Rilindjes në Shqipërinë
e Veriut
4.4 Rëndësia e letërsisë së
Rilindjes
5. Periudha e pavarësisë
(nga fillimi i shek. 20 deri më 1944)
5.1 Poetë të periudhës kalimtare:
A. Z. Çajupi, Ndre Mjeda dhe Asdreni
5.2 Mjeshtër të finesës: Faik bej Konica
dhe Fan Noli
5.3 Zëri i kombit: Gjergj Fishta
5.4 Lajmëtarët e modernizmit: Migjeni dhe
Lasgush Poradeci
5.5 Proza e periudhës së pavarësisë:
Ernest Koliqi dhe Mitrush Kuteli
5.6 Autorë të tjerë para ardhjes në
pushtet të komunistëve
5.7 Zeniti kulturor i mesit të viteve tridhjetë
6. Realizmi socialist shqiptar dhe
më tej (fundi i shek. 20)
6.1 Vërshimi e realizmit socialist
6.2 Risi dhe disidencë: veprat e Ismail Kadaresë
6.3 Prozatorë të tjerë të periudhës
së socializmit dhe më tej
6.4 Poetët e popullit
7. Letërsia e sotme shqipe
në Kosovë, Maqedoni dhe Diasporë
7.1 Shqiptarët në ish Jugosllavi
7.2 Lindja e prozës shqipe në Kosovë
7.3 Poezia në Fushën e Mëllenjave
7.4 Letrat bashkëkohore arbëreshe
8. Liri dhe kaos: letërsia
e sotme shqipe
9. Bibliografi
10. Tregues

|