Home | Print

Robert Elsie

Udhëtime nëpër Ballkan
Kujtime nga jeta e Franc Baron Nopça
Pajisur me parathënie, shtojcë dhe përgatitur nga Robert Elsie
Përktheu Ilirjana Angoni

ISBN 978-99956-619-7-7
Plejad, Tiranë 2007
685 pp.

TREGUESI I LËNDËS

Hyrja e autorit
Parathenie

Pjesa I
Studimet dhe udhetimet e para (1897-1905)

Periudha e universitetit. Me kalë dhe me kembë nëpër Bosnje dhe Lika. Vullnetar për një vit. Udhëtimi i parë në Itali. Meran. Familja Buchholz. Milano. Venecia. Udhëtime studimi në Gjermaninë jugore. Udhëtimi në Greqi. Njoh baronin Burian. Maqedonia dhe marrëdhëniet e atyshme. Udhëtimi i parë në Kostandinopojë. Vështirësitë në doganë. Mbi Athinën dhe Shkupin. Udhëtimi me kalë nëpër Shqipëri. Udhëtime studimi. Edhe një herë në Konstandinopojë. Shëtitje në Egjipt. Buzë shkretëtirës.

Pjesa 11
Udhëtime hulumtimi në Shqipëri (1905-1910)

Udhëtime dhe një aventurë e vogël në Shqipëri. Studime në Angli. Përsëri në Shqipëri. Një shëtitje në malësitë shqiptare. Vështirësitë me autoritetet turke. I kapur nga banditët shqiptarë. Veprimtaria për reforma në Maqedoni dhe roli i dyanshëm i Austro-Hungarisë. Shqipëria në periudhën e parë të sundimit xhonturk. Kriza e aneksimit. Njoh Conrad von Hötzendorf dhe shkëlqesinë Krobatin. Një kontrabandë armësh e pafat e Ministrisë së Jashtme austro-hungareze. Episode me turq dhe shqiptarë. Kleri katolik në Shqipërinë e Veriut. Qëndrimi i Italisë.

Pjesa III
Midis aneksimit dhe luftës ballkanike (1910-1912)

Disa zyrtare të Ministrisë së Jashtme austro-hungareze. Gjykimi mbi xhonturqit. Konflikti i parë me Ministrinë e Jashtme. Lexa von Aehrenthal. Një vështrim mbi marrëdhëniet Conrad-Aehrenthal. Shëtitje me këmbë nëpër Bosnjen lindore. Njoh Shkëlqesinë Auffenberg. Anglia dhe anglezët. Kontakti i parë me kryedukën Franz Ferdinand. Veprimtaria e parë si gazetar. Te xhonturqit dhe kryengritesit shqiptarë. Gjëra serioze dhe gazmore nga studio e redaktorit. Sulme të ashpra kundër Aehrenthal. Shqipëria luftës italo-turke. Konflikti Conrad-Aehrenthal. Konti Berthold. Revolta e fundit shqiptare. Propozime të kota.

Pjesa IV
Midis luftes ballkanike dhe luftes boterore (1912-1914)

Lufta ballkanike. Njoh Shkëlqesinë Schemua. Si bari midis barinjve nomade. Propaganda Serbe në Hungarinë jugore dhe një moment kritik. Demaskimi i Propagandës serbe. Puna e ethshme në Siebenbürgen për Rumaninë e madhe. Rehabilitimi i Conradit. Themelimi i Komitetit Shqiptar gjysmëzyrtar austriak. Kongresi Shqiptar në Trieste. Përpjekja për puç e dukës Montpensier. Konferenca e Paqes në Londer. Tërhiqem nga Propaganda për Shqipërinë. Sërish bari. Endjet me një kope barinjsh. Pozicioni ëi barinjve. Si bari në Karpatë. Afrimet serbo-rumune. Gabimi politik i kontit Berchtold. Kthimi në Shqipëri. Një vrasje. Konflikti me konsullin austro-hungarez në Shkodër. Jeta ime në Shkodër. Spekulantët e bursës në Ministrinë e Jashtme austro-hungareze. Studime udhëtimi në Gjermani dhe në Belgjikë. Rënia e Prine Vidit në Shqipëri. Gjykimi i gabuar i gjendjes ndërkombëtare nga diplomacia austro-hungareze.

Pjesa V
Lufta botërore (1914-1917)

Si propagandues në Shqipëri. Me një mision të veçantë në Bukuresht. Konti Czermin. Shëtitje në Dobrusha. Veprimtaria ime nuk i vjen për shtat Komandos së Lartë të Ushtrisë. Një shqiptar në Vjenë. Si oficer instruksioni në Budapest. Si bari në Karpatë dhe në Rumani. Incidente kritike. Kthimi në Hungari. Eprori im është vetë spiun. I ftuar për të formuar çetat shqiptare. Një incident me bullgarët. Nuk mund të mbështetesh te komando e larta. Dështimi i nismës dhe shkaqet e saj. Një raport i madh. Do të largohem nga Shqipëria. Në kufirin rumuno-hungarez. Shpallja e luftës nga ana e Rumanisë. Gjendja në Siebenbürgen. Në Komandën e Lartë të ushtrisë i padëshirueshëm. Te trupat gjermane. I sëmurë. Sërish te trupat turke. Konflikti me Komandën e Larte të Ushtrisë. Te trupat rezervë. Shkarkimi nga shërbimi ushtarak.

SHTOJCË
Treguesi i punimeve shkencore të Nopçës (1897-1933)
Bibliografi

nga Hyrja:

Baroni Franc Nopça von Felsöszilvas (1877-1933), një hulumtues dhe dijetar i shquar i kohës së tij, pati një jetë të trazuar. Baroni Franc Nopça, bir i një familjeje fisnike hungareze lindi me 3 maj 1877, në pronat Szacsal të prindërve të tij, të cilat gjendeshin në Hatzeg të Transilvanisë. Me ndërmjetësimin e xhaxhait të tij dhe kumbarit të tij, Franc von Nopça (1815-1904), kryemjeshtri i oborrit të perandoreshës Elisabeth, Nopça mundi të japë maturën në shkollën Maria Theresianum në Vjenë. Ndoshta ngjarja vendimtare e rinisë së tij ndodhi në vitin 1895, gjatë një shëtitjeje në Szentpéterfalva. Aty, ai dhe motra e tij Ilona, zbuluan fosile të kockave të një dinosauri, të cilat ia dërguan profesorit Eduard Suess në Vjenë. Prej maturës në vitin 1897 deri në vitin 1903, Nopça ndër të tjera studioi te Suess në Universitetin e Vjenës, i cili asokohe ishte një qendër e hulumtimit paleontologjik.

Nopça përparoi vetë dhe shumë shpejt u bë një hulumtues i talentuar i paleontologjisë. Qysh në moshën 22-vjeçare ai mbajti kumtesën e tij të parë më 21 korrik 1899, në mbledhjen e Akademisë së Shkencave në Vjenë, kumtesë me titullin "Mbetje të dinosaurëve në Siebenbürgen", e cila ngjalli mjaft interes. Ndër të tjera ai vleresohet si themeluesi i paleofiziologjisë dhe mbi të gjitha me studimin e tij mbi reptilët, studim i njohur edhe jashtë shtetit. U bënë të njohura hipotezat e tij të 'running proavis', të qenët me gjak të ftohtë të pterosaurit dhe për kuptimin e proceseve të percaktuara endokrine, të cilat ai i trajtonte si të rëndësishme për evolucionin dhe zhdukjen e krijesës gjigande. Në të vërtetë jo të gjitha teoritë e tij u pranuan pa kundërshtime, ndërsa u zgjeruan dhe formuan fusha të tjera të hulumtimit paleontologjik. Po aq të mëdha ishin meritat e Nopçës edhe në gjeologji, në hulumtimin e strukturës tektonike të maleve të Ballkanit Perëndimor, ku herë-herë paraqiste teori të guximshme.

Në vitet e mëvonshme ai u bë edhe kryehulumtuesi i Shqipërisë për kohën e tij. Botimet e tij albanologjike të viteve 1917-1932 përfshijnë në radhë të parë fushat e mëposhtme: Parahistorinë dhe historinë e kahershme, etnologjinë, gjeografinë dhe historinë e Kohës së Re, si dhe e drejta zakonore shqiptare, d.m.th Kanuni. Punimet e hershme si Shqipëria veriore katolike (Budapest, 1907), Shalës në Kelmend (Sarajeve 1910) dhe Shtëpia dhe orendi në Shqipërinë veriore katolike (Sarajevë 1912) si dhe Kumtesa për parahistorinë dhe etnologjinë e Shqipërisë së Veriut (Sarajevë 1912), përmbajnë një mori vrojtimesh nga fushat e lartpërmendura, sidoqë materiali nga pikëpamja e sotme mund të duket si i pak i sistemuar. Në vitet e mëpastajme, kur si të thuash ai ra në qetësi dhe kur nuk udhëtonte kaq shpesh nëpër Ballkan, dolën vepra me pretendime, të cilat e përmbushnin në çdo aspekt respektin shkencor.

Më të njohurat nga këto vepra janë: Ndërtimet, zakonet dhe monumentet historike të Shqipërisë së Veriut (Berlin & Leipzig 1925) dhe mbi të gjitha monografia e tij themëlore me 620 faqe, Gjeologjia dhe Gjeografia e Shqipërisë së Veriut (Öhrlingen 1932), e cila cilësohet si kreu i veprave të botuara në lidhje me hulumtimin e Shqipërisë, gjatë kohës kur ai ishte gjallë.

Lista e botimeve të Nopçës, si shtojcë në fund të këtij volumi përfshin gjithsej 186 tituj të botuar, kryesisht nga të tri fushat e mësiperme të ndërthurura, paleontologji, gjeologji dhe hulumtimi i Shqipërisë. Vdekja e tij e parakohshme, patjetër që la të pabotuara shumë gjëra të rëndësishme. Trashëgimia shkencore e Nopçës, për aq sa i takon natyrës paleontologjike, shkoi në Muzeun Britanik në Londër. Pjesa albanologjike e trashëgimisë iu la kolegëve të tij dhe gjithashtu albanologut të shquar profesor Norbert Jokl (1877-1942), në Vjenë.

Në shkrimin e datës 24 prill 1933, ditën e vdekjes, Nopça i jepte zotit Jokl një listë të dorëshkrimëve që i kish mbetur dhe e luste të lidhej me kontin Paul Telekin në Budapest, me qëllim që të gjente mënyrën për t'i botuar. Për shkaqe financiare kjo vepër themelore nuk u botua. Qysh nga vdekja e Joklit, në fillim të majit 1942, trashëgimia albanologjike e Nopçës si dorëshkrime, autografe dhe koleksione-trashëgimie u ruajtën Bibliotekës Kombëtare austriake, në Hofburgun vjenez.

Nga trashëgimia vjeneze janë për tu përmendur para së gjithash pesë dorëshkrime: 1.) Shqipëria: fiset malësore të Shqipërisë së Veriut dhe e drejta zakonore e tyre, Seria nova 9392, një vepër me 510 faqe, të cilat për fat në pjesën më të madhe u botuan në volumin Bashkësitë fisnore të Shqiperisë së Veriut, raporte dhe hulumtime të dijetarëve dhe të konsujve austriake, 1861-1917 (Vjenë-Këln-Vaimar 1996) nga Fatos Baxhaku dhe Karl Kaser; 2.) Botkuptim fetar, doke dhe zakone, Seria nova 9393, një vepër me 242 faqe, ku për fat të keq 58 faqet e para mungojne; 3.) Poezia e Kolec Markut, 1895-1932, Seria nova 11912, një volum lirikash në gjuhën gjermane, 160 poezi të thjeshta me 110 faqe; 4.) Studime dialektesh (Fragment), Sera nova 11918, vërejtje për dialektin geg veriperëndimor në veri të Shkodrës me 36 faqe të shkëputura të formateve të ndryshme; dhe para se gjithash 5.) botimi që këni në dorë, kujtime nga jeta e Franc Baron Nopcës, të cilat botohen për herë të parë me titullin Udhëtime në Ballkan, Seria nova 9368.

Monografia me pesë pjesë, Udhëtime në Ballkan, gabimisht përcaktohet edhe si ditar i Nopçës dhe përbëhet gjithsej nga 456 faqe të shkruara me makinë shkrimi dhe pjesërisht me dorë, të cilave autori u ka bërë një korrekturë të mirfilltë (me gjashtë ngjyra të ndryshme). Sipas numerimit mungojne në pjesën e katërtë faqet 51-55. Përveç të tjerave vepra duket të jetë e plotë sidoqë në korrekturën e saj mund të mungojë dora e fundit.

Mund të pranohet që Nopça qysh fundi i Luftës së Parë Botërore ka filluar me një hedhje shënimesh të kujtimeve të jetës së tij. Si bazë për këtë përdori blloqet e tij të shënimeve për të cilat për një kohë të gjatë është menduar se kishin humbur dhe të cilat gjatë udhëtimëve të tij nëpër Ballkan i mbante gjithmonë me vete. Këto kujtime të tij përfshijnë një periudhë kohore prej 20 vjetesh, prej vitit 1870 deri në vitin 1917, kur Nopça ishte 4o-vjeçar. Në një letër dërguar Joklit më 8 tetor 1928, Nopça shkruan se i kishte humbur blloqet e tij të shënimeve në vitin 1918, gjë që sqaron një shkëputje të papritur në vitin 1917 të Kujtimeve...

Robert Elsie

Home | Print